A mund të mbijetohet një ditë pa teknologji?

МК

E fillova eksperimentin e quajtur “Detoksifikim digjital” pa asgjë tjetër përveç pritjeve të mëdha për sukses të plotë në fund të ditës. Mirë, mbase fakti që kam kaluar tërë ditën duke udhëtuar më ka ndihmuar të mos më mungojë interneti, televizioni ose radioja.

Për disa muaj me radhë, përpiqem të zvogëloj përdorimin e Internetit, një ide që përfundimisht do të kulmojë në një ditë të kaluar në jetën “reale”. Kjo është praktikisht e pamundur sepse njeriu modern nuk mund të ndahet nga teknologjia, sepse është një lidhje e pandashme midis njerëzve dhe rrjedhës së informacionit.

Kohën e sotme sundojnë ndjenjat e pasigurisë dhe frikës për zhvillimin e ardhshëm të teknologjisë. Dhe këto ndjenja janë me të vërtetë të justifikuara. Telefonat inteligjentë dhe pajisjet e ngjashme në mënyrë të shpejtë na largojnë nga bota, ndërsa ne po humbasim aftësinë për të qenë në mes, në një mënyrë që nuk ndërmjetësohet nga një pajisje elektronike.

Kështu, kur prindërit e mi thanë se gjatë fundjavës do të shëtisnim nëpër disa vende në shtet, detoksifikimi digjital që ishte më tepër se i mirëseardhur.

Mëngjesi kaloi çuditërisht i qetë, në krahasim me mëngjesin tim të zakonshëm. Gjatë mëngjesit, nuk kishte prurje të tingujve që vinin nga të gjitha rrjetet sociale të cilat i përdor, nuk pranova meil-a, nga universiteti me detyrime që duhet t’i përfundoj deri në fund të ditës, madje edhe telefoni mbeti në vendin e tij (më ndodh disa herë telefoni të bjerë nga tavolina për shkak të dridhjeve të shumta).

Erdhi në radhë udhëtimi. Ajo që vura re për veten time, dhe besoj se shumë njerëz do të pajtohen me mua, ishte se kur nuk jam i përqendruar në një detyrë të veçantë, e hap telefonin nga mërzia gjatë ditës. Për fat të mirë, ia dola të ndaloj veten para se të shtypja butonin Wi-Fi.

Nëpër kokë filluan të më kalojnë pyetje. Çfarë të bëj me frikën se po humb diçka? A ka nevojë dikush për ndihmën time ndërkaq nuk mund të marrë përgjigje kthyese? Çfarë po bëjnë miqtë e mi tani dhe a po argëtohen më shumë se unë?

Shpejt të gjitha ato pyetje dukeshin të parëndësishme në raport me atë se sa mirë po më kalonte dita. As që vërejta se koha po kalonte. Ngjitesha dhe zbrisja shtigjet malore, hulumtova vende të panjohura për mua – hyra në disa shpella afër Lesnovës, hulumtova parkun me kukullat prej guri afër Kratovës dhe shëtita nëpër Probishtip, hëngra drekë me familjen time në natyrë. Prej atëherë e deri në fund të ditës as që kam menduar për telefonin dhe kompjuterin.

Me siguri nuk kam humbur asgjë të rëndësishme. Ata që më kanë shkruan mesazh në Mesinxher ose Instagram gjithashtu mund të më thërrisnin në telefon. Kjo frikë momentale që vinte nga përjashtimi nga interneti, televizioni dhe radioja, kuptova se ishte iracionale dhe se kjo lehtë zgjidhet. M’u kujtua që përkufizimi i argëtimit varet nga mjedisi që na rrethon, ndërsa unë arrita ta kanalizoja kuriozitetin tim në interes për atë që po ndodhte para meje.

Gjatë kësaj dite detoksi, një gjë përkoi me periudhën kur kishte orë policore, kur nuk mund të dilnim nga shtëpia jonë për shkak të pandemisë me COVID-19. E kuptova që po vështroja me shikim të përforcuar dhe po përjetoja gjërat që ndodhnin rreth meje – nuk kishte rëndësi nëse ishte cicërima e zogjve, zhurma që bën lumi, lëvizja e diellit dhe reve, apo shprehjen e fytyrës dhe gjuhën e trupit të bashkëbiseduesit. Kjo ndoshta buron nga fakti që nuk kishte shpërqendrime të vëmendjes përmes të cilave truri im kaloi në informacion të ri ose përvojë shqisore, dhe unë isha në gjendje të qëndroja i përqendruar në më shumë gjëra njëkohësisht.

Them se vëmendja jonë është zvogëluar me kalimin e viteve, sepse jetojmë në një epokë ku ka prurje të madhe të informacioneve dhe vazhdimisht na kërkohet të jemi në gjendje të lëvizim lehtësisht nga një informacion në tjetrin me të njëjtin intensitet, ndërkaq studimi i Universitetit Teknik Danez të vitit 2019 e konfirmon qëndrimin tim.

Sinqerisht, ndjeva izolim të lehtë nga shoqëria pa përdorimin e teknologjisë, më dukej sikur isha një ndërhyrës sepse nuk isha me kokën ulur në telefon. Por atë ditë ia dola të kthehem te vlerat që për mua personalisht janë të rëndësishme – zhvillova marrëdhënie ndër-personale me njerëz të tjerë dhe jetova në këtë moment.

Në fund, e arrita qëllimin dhe arrita të mbijetoj një ditë pa teknologji! (Mund të tingëllojë qesharake për disa, por në fakt unë vetë u binda se nuk është e pamundur.)

Ndoshta sepse zgjodha një ditë fundjave nuk kisha asnjë pengesë në përfundimin e detyrave të mia të përditshme dhe prisja se do të duroj gjithë ditën, por mund ta imagjinoj se do të ishte shumë më e vështirë të manovroja obligimet në një ditë pune pa ndonjë teknologji dhe se do të shtypja herë pas here telefon ose kompjuter për të aktivizuar Wi-Fi, veçanërisht tani në normalitetin e ri kur pjesa më e madhe e jetës sonë transferohet në fushën online.

Ajo që më mungoi më shumë, ishte fakti se nuk isha në gjendje të komunikoja me miqtë në internet, por kuptova se paraqitja në telefon dhe caktimi i takimeve për shoqërim është më e rëndësishme sepse ndodh sy më sy. Nuk krahasohet ndjenja kur komunikoni sy më sy dhe ndihet afërsia e bashkëbiseduesit.

Besoj se të gjithë duhet të përjetojnë një ditë të tillë detoksifikimi, por gjithashtu që duhet të bëhet një zakon mujor, nëse jo javor. Në këtë mënyrë ne i rregullojml mendimet, përmirësojmë perceptimin dhe stërvitim fokusin.

Mësova se planet që bëjmë për të ardhmen nuk kanë aspak rëndësi, sepse ato janë të paparashikueshme dhe mund të ndryshojnë. Gjëja më e rëndësishme është të jesh i pranishëm në moment dhe të jetojmë këtu dhe tani, sepse momenti dikton se çfarë do të ndodhë më pas.

 

Autori: Stefan Mitiq