Detoksifikimi digjital duhet të jetë rituali jonë mujor

МК

Jeta pa media digjitale tingëllon pothuajse e pamundur në ditët e sotme, apo jo? Në një botë në të cilën pothuajse gjysma e popullsisë kanë telefon celular, është vështirë teknologjia mos shihet si shprehi. Na zë gjumi me telefonin dhe televizorin, zgjohemi me ta, e kalojmë ditën “bërë skrol” në rrjetet sociale. Dhe pikërisht tani në kushte pandemie, media digjitale si burim informacioni dhe mjet komunikimi ka marrë një kuptim krejt të ri. Pandemia na mësoi se teknologjia është e nevojshme për të funksionuar dhe se ne duhet t’i përshtatemi asaj. Por, vallë na bën mirë prezenca e saj gjithëpërfshirëse? A na duhet të paktën një ditë në javë të ‘shkëputur’ nga realiteti virtual që na ofron teknologjia dhe interneti dhe t’iu kthehemi gjërave që po ndodhin rreth nesh?

Vendosa të pranoj sfidën dhe të kaloj një ditë pa rrjete sociale, internet, telefon, televizion dhe kompjuter për të parë se sa e madhe është prania e tyre në jetën time dhe sa më duhen realisht.

U habita se sa mirë më bëri ky detoksifikim digjital. Momentet e kaluara pa to ishin relaksuese, nuk dëgjoja dhe nuk shikoja për gjërat e këqija të cilat ndodhin në botë, dhe as nuk kam qenë e ekspozuar ndaj përmbajtjes ndonjëherë destruktive në mediat sociale Instagram, Facebook etj.

Dita e detoksit, që në fillim dallohej nga përditshmëria ime. Së pari, kur u çova, zgjata dorën të marr telefonin të shoh sa është ora dhe çfarë ka në Instagram, por për fat të mirë u kujtova me kohë dhe e lashë para se ta vendosja në funksion. Kam kaluar pjesën më të madhe të kohës time të lirë në laptop, telefon ose televizion duke parë seriale, video ose duke lexuar libra elektronikë. Gjatë ditës së detoksit kohën time të lirë ia kushtova në diçka që e dua, por nuk e bëj shpesh, dhe kjo është gatimi. Mora librin e recetave të nënës dhe shkova në kuzhinë. Kam kaluar pjesën më të madhe të ditës në kuzhinë duke gatuar drekë, gatova bukë dhe provova ëmbëlsirë të re. Më pëlqente dhe argëtohesha duke gatuar, ndërsa koha më kaloi me të vërtetë shpejt.

Pasditen e kalova duke bërë ushtrime, që më duhet ta pranoj ishte një sfidë për ta bërë pa shikuar video nga YouTube dhe sigurisht pa kohëmatësin e telefonit. E kalova mbrëmjen me motrën time duke mësuar pyetjet për provimin teorik për patentë shoferi dhe duke luajtur letra. Atë natë shkova në shtrat me kokë të kthjellët dhe menjëherë më zuri gjumi, gjë që zakonisht nuk ndodh kur telefoni është pranë meje.

Sinqerisht, më ka marrë malli pak për telefonin sepse nuk mund të bëja alarmin, të kontrolloja e-mailin, tu ktheja mesazhet miqve të mi. Por, ndërsa gatuaja, pothuajse nuk mendova fare për telefonin dhe kompjuterin. Mbrëmja ishte më e vështirë për mua sepse binte shi dhe nuk mund të dilja për shëtitje. Por edhe pse nuk kisha qasje në mediat sociale gjatë gjithë ditës, nuk u ndjeva e izoluar. Komunikimi me familjen time ishte i mjaftueshëm në mënyrë që të informohem se çfarë ndodhte rreth meje. Ajo që më shqetësoi më shumë ishte se nuk mund ta kontrolloja postën elektronike, në rast se nuk më kishin dërguar njoftim nga fakulteti. Nuk dyshoja se do duroja gjithë ditën sepse edhe pse edhe përpos asaj që shpesh jam në rrjetet sociale dhe pjesën më të madhe të ditës e kaloj në telefon dhe laptop, nuk jam e varur prej tyre. Ato janë një pjesë e rëndësishme e përditshmërisë sime, por nuk janë domosdoshmëri.

Nga dita e detoksit mësova se kemi nevojë për rrjete sociale, telefon, laptop dhe televizion, por jo aq saç i përdorim zakonisht. Mendoj se përdorimi i tyre në jetën tonë të përditshme duhet të kufizohet. Ndërsa kohën tonë të lirë duhet t’ia kushtojmë interesave tona, të zhvillojmë hobi, të bëjmë shëtitje dhe të shijojmë bukuritë që na ofron natyra dhe natyrisht këtë ta bëjmë me njerëzit që i duam.

Jam e mendimit se të gjithë kanë nevojë për detoksifikim digjital dhe të gjithë, të paktën një herë në javë ose në muaj duhet ta praktikojnë. Unë me siguri do ta përsëris këtë përvojë dhe do të përpiqem të më bëhet shprehi mujore.

 

Autori: Teodora Aksentievska